|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e Keqpërdorimeve me kartela bankare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Roka, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami që nga fillimi i vitit 2005 me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore, akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë formuar grupin formular, grupin kriminal të organizuar që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me hakerët e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare të shteteve të ndryshme.

Në seancën e sotme janë paraqitur fjalët përfundimtare të palëve në procedurë.

Prokurori special Burim Çerkini deklaroi se prokuroria mbetet në tërësi pranë akuzës dhe provat që mbështesin akuzën dhe kërkojm nga trupi gjykues që gjatë marrjes së vendimit të akuzuarit të shpallen fajtor.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën përfundimtare të tyre kërkuan aktgjykim lirues nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Fatime Dermaku dhe gjyqëtarët Naser Foniqi dhe Ertan Sejfullah.

Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Konushevci, avokati Mentor Neziri theksoi se gjatë administrimit të provave materiale nuk vërtetohet kryerja e veprës penale ‘Krim i organizuar’ dhe as veprave tjera bazë, poashtu duke potencuar faktin se përfaqësuesit e bankës Raiffiesen dhe Procredit, të cilët kanë deklaruar se nuk ndjehen të dëmtuara dhe poashtu që në këtë rast nuk ka kurrfarë dëmi të shkaktuar.

‘Asnjë fjalë e vetme nuk është shënuar në aktakuzë se kush është i dëmtuar, konsideroj se kjo akuzë duhet të refuzohet dhe i mbrojturi im të lirohet’, deklaroi në fjalën përfundimtare të tij mbrojtësi i të akuzuarit Valton Isufi, avokati Shemsedin Piraj.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 23 prill 2024, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Roka e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami me veprime kriminale të hyrjes në sistemet kompjuterike bankare, falsifikimit të kartelave bankare dhe tërheqjes së shumave të ndryshme të parave  në emër të personave të dëmtuar përmes agjensionit financiar “Ëestern Union” që operon në Kosovë, kanë përfituar dobi pasurore-financiare  të drejtpërdrejtë në shumën e përgjithshme prej 198,454.10 euro.

Me këtë, sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 274 par 1, lidhur me 23 të KPPK-së lidhur me veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 264 par 2 të KPPK-së, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, nga neni 248 par 3 të KPKK-së dhe “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter