Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të rënda, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e të akuzuarit Sherif Hoti, zyrtar i Prokurimit në Komunën e Obiliqit i cili akuzohet nga Prokuroria për veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Seanca ka vazhduar me paraqitjen e provave materiale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Hoti, av. Arbër Jupolli, lidhur me propozimin e provave të reja theksoi se cilësin e provave materiale të administrohen disa shembuj të njoftimeve për kontratë, në njërin ekzemplarë autoritet kontraktues është Komuna e Ferizajit, po ashtu mbrojtësi Jupolli, lidhur me këtë shembull përmendi edhe një rast ku autoritet kontraktues ishte Këshilli gjyqësor i Kosovës.
Kurse, edhe një rast tjetër ku autoritet kontraktues ishte Komuna e Gracanicës, tutje av. Arbër Jupolli lidhur me propozimin e këtyre provave theksoi se me secilin nga këto shembuj kërkohet deklarata nën betim e nënshkruar nga tenderuesi, duke përdorur formën e cila ishte caktuar nga tenderi, të njejtën formë e kishte përdorur edhe tani i akuzuari Sherif Hoti
Me këto prova ai theksoi se argumentohet pretendimi i mbrojtjes, se në rastin e prokurimit për të cilin akuzohet i mbrojturi i tij, është vepruar njejtë dhe se në asnjë rast nuk ishte vepruar ndryshe po ashtu, edhe tek operatorët lokalë dhe qëndor kishin zbatuar të njejtën procedurë.
Lidhur me propozimin e mbrojtjes, prokurorja Bukurie Gjonbalaj theksoi se i kushndërshton që të administrohen këto prova, me arsyetimin se janë në kundërshtim me dosjen e tenderimit për rastin i cili është objekt i kësaj aktakuze.
Tutje në kundërshtimin e saj, prokurorja Gjonbalaj shtoi se në rastin konkret përshkruhet kërkesa që duhet të plotësohet nga Operatori Ekonomik, përshtatshmeria e tij, po ashtu, prokurorja theksoi se në dosjen e tenderimit theksohet se OE nuk ka drejt të marrë pjesë nëse personi që aplikon ka të kaluar kriminale në 10 vitet e fundit.
Lidhur me propozimin e mbrojtjes, për administrimin e porvave materiale trupi gjykues, morri aktvendim duke aprovuar propozimin e mbrojtjes dhe provat e propozuara do të administrohen si prova materiale.
Pasi që nuk ka prova tjera, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi theksoi se tani është koha e paraqitjes së mbrojtjes së të akuzuarit.
I pandehuri Sherif Hoti, theksoi se pasi është konsultuar me mbrojtësin e tij i njejti do të mbrohet në heshtje.
Seanca vazhdoi me paraqitjen e fjalës përfundimtare.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja Bukurie Gjonbalaj, theksoi se nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, është vërtetuar gjendja faktike në bazë të së cilës qartë dhe bindshëm vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Tutje, prokurorja shtoi se nga dëgjimi i njëres nga dëshmitarët është vërtetuar se, është bërë vërtetimi vetëm sipas cmimit dhe jo rrethanat juridike, për dokumentacionin që përsoni nuk është i dënuar përgjegjëse ishte zyra e prokurimit. Po ashtu, prokurorja Gjonbalaj theksoi se nga dëshmitarët tjerë është vërtetuar se zyra e prokurimit ka qenë në njohuri se personi i cili ka aplikuar për tender ka qenë i dënuar.
Në fund, prokurorja Bukurie Gjonbalaj theksoi se është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe shtoi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, po ashtu, ajo kërkoi nga trupi gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor dhe i njejti të dënohet sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Hoti, av. Arbër Jupolli, në elaborimin e fjalës përfundimtare theksoi se, mbrojtja e kundërshton në tërësi aktakuzën e prokurorisë pasi e njejta nuk është e bazuar në asnjë provë me të cilën do të mund të kualifikohej elementi i veprës penale për të cilën akuzohet tani i mbrojturi i tij Sherif Hoti.
Në fund, avokat Arbër Jupolli kërkoi nga trupi gjykues që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza dhe të shpallet i pa fajshëm.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 24 prill nga ora 09:15.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Sherif Hoti në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Obiliqit, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij lidhur me cështjen e prokurimit publik në tenderin e shpallur për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri Sherif Hoti me veprimet e tij i njejti i ka shkaktuar dëm buxhetit shtetëror.
I pandehuri Sherif Hoti, akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha