|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për Keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare.

Fillimisht dy dëshmitarët që ishin të paraparë të degjohen në këtë seancë nuk ishin prezent, atëhere kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi konstatoi se nuk është më relevante dëgjimi i tyre për arsye se palët që kishin propozuar dy dëshmitarët u tërhoqën nga propozimi për dëgjimin e tyre.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale të propozuara nga Prokuroria Speciale, mirëpo nuk u lexuan për shkak të ekonomizimit të procedurës.

Prokurori Special, Milot Krasniqi deklaroi se procedura e provave të mos konsiderohet e përfundur sot, mirëpo të ketë një kohë shtesë për arsye se është e pamundur teknikisht dhe fizikisht të paraqiten të gjitha sot, ku pas ngritjes së aktakuzës ka administruar disa dokumente tjera që kanë rëndësi për zgjidhjen e cështjes.

Avokati i të akuzuarit Bahri Nuredini Av. Agron Selimaj kërkoi të ftohet eksperti Agim Sheqiri për dhënien e ekspertizës pasiqë i njëjti nuk është prezent sot, si dhe deklaroi se disa nga provat që i kanë propozuar në prokurori dhe polici nuk janë të përfshira në aktakuzë, andaj ai theksoi se do të bëjë listimin e tyre me parashtresë dhe do ti paraqes në seancën e radhës.

Avokati i të akuzuarit Driton Mehaj Av. Ilir Rashiti theksoi se dëgjimi i eksperit është i rëndësishëm si dhe ballafaqimi i ekspertizës së tij me mbrojtjen.

Meqenëse të gjitha provat e propozuara nuk mund të prezentohen sot nga Prokuroria Speciale si dhe mbrojtja ka prova të tjera për ti listuar, seanca e sotme ndërpritet ndërsa seanca e radhës caktohet 29.05.2024 nga ora 9:30.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të njëjtit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN Internation” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’ rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.

Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.

Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, derisa nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter