Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitarja B.J, e cila kishte ushtruar pozitën e kryetares së komisionit për pranim të punëtorëve në Komunën e Leposaviqit në vitin 2015.
Gjatë paraqitjes së dëshmisë së saj, tregoi lidhur me procedurën e shpalljes së konkursit për punëtorë në Komunën e Leposaviqit.
Ndërsa në marrjen në pyetje nga i akuzuari Dragan Jabllanoviq, dëshmitarja B.J deklaroi se konkursi i parë për puntorë në Komunën e Leposaviqit ishte hapur në fund të vitit 2015 dhe se komisioni për përzgjedhjen e punëtorëve ishte formuar nga ana e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit në atë kohë.
Lidhur me atë se a ka ndikuar ndonjë person për pranimin në punë të ndonjë personi të caktuar, dëshmitarja deklaroi se nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë proces.
Tutje, dëshmitarja u pyet edhe nga prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova lidhur me ankesat e kandidatëve për punëtorë të cilët nuk ishin pranuar, pyetje e cila u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarit Jabllanoviq.
Njëkohësisht në seancën e sotme u administruan edhe provat të cilat janë propozuar sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale.
Shqyrtimi gjyqësor në këtë rast do të vazhdon dhe nesër, me datë 24 Prill 2024, nga ora 09:30.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti