Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Musli Shala për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’.
Fillimisht kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri njoftoi se pas konstatimit të palëve në procedurë, janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
I akuzuari Musli Shala theksoi se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Sh.L.
Në pyetjen e prokurorit të shtetit, Bashkim Zeqaj se çka ka konstatuar me raportin e saj për Ferdi Berisha, dëshmitarja u përgjigj se gjatë inspektimit në teren me kërkesë të Policisë së Kosovës, personi Ferdi Berisha është futur në sistem nga zyrtari i gjendjes civile Musli Shala, ku ai person ka qenë i mitur, ndërsa sa i përket pyetjes se a është shkel baza ligjore tek vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, e njëjta shtoi se është shkel nga zyrtari që i ka përgatitur për letërnjoftim në Mitrovicën e Veriut.
Në vazhdim të dëshmisë mbrojtësja e të akuzuarit av. Fortesa Mehmeti, në pyetjen se a janë trajnuar nga ana e saj se si duhet trajtuar rastet për regjistrim, dëshmitarja theksoi se zyrtarët e gjendjes civile janë çertifikuar dhe regjistrimet bëhen sipas ligjit në fuqi.
Tutje, në dëshminë e dëshmitarit tjetër S.O i cili pyetet nga Prokurori i Shtetit se çfarë ka konstatuar në raportin e tij, i njëjti përgjigjet se qëndron pranë raportit ku kanë konstatuar se në numrin rëndor të librit amzë nuk ekziston ky person Eduart Canameti, por ekziston një person tjetër me emrin Faza Isufi, ndërsa sa i përket shkeljeve që janë evidentuar, dëshmitari përgjigjet se janë bërë shkeljet të udhëzimit administrative të MPB për lindje, martesë dhe vdekje.
Pasi qe nuk ka propozim për prova të reja, kryetari i trupit gjykues theksoi se është koha e paraqitjes së mbrojtjes
Lidhur me dy rastet e përmendura në pyetjet e mbrojtëses së tij, i akuzuari theksoi se ishte penzionuar në vitin 2019, ka punuar si zyrtar i thjeshtë por kemi pasur sfida të ndryshme të kryetari i Komunës së Obiliqit që komunitetet me jo shumicë të trajtohen me lëshime si dhe ofrimin e shërbimeve civile falas.
Në pyetjen e Prokurorit të Shtetit ndaj të akuzuarit në lidhje me faturën e energjisë elektrike se a duhej të ishte e Komunës së Obiliqit apo i ndonjë komune tjetër, ai përgjigjet se duhej të ishte i Komunës së Obiliqit por edhe pa atë faturë kishte mundur ta regjistroj.
Sa i përket fjalës përfundimtare, Prokurori i Shtetit deklaroi se i akuzuari i ka kryer veprat penale të përshkruar në aktakuzë, ku nga provat e administruara pa asnjë mëdyshje vërtetohet se i njëjti duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare i ka regjistruar personat pa asnjë bazë ligjore ku si rrethanë rënduese i propozoi gjykatës që të mërret dënueshmëria e të akuzuarit më parë për natyrën e veprës penale të njëjtë, e ka cenuar rëndë sistemin e gjendjes civile, ndërsa rrethana lehtësuese të merret parasysh vetëm gjendja shëndetësore e tij.
Ndërsa avokatja e të akuzuarit Musli Shala Av.Fortesa Mehmeti në fjalën përfundimtare deklaroi se e kundërshton aktakuzën sepse nuk përmbushet dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe se nuk ka pas ndonjë praktikë apo udhëzim se duhej të kërkoj dokumente përkatëse që ti regjistroj personat e përmendur.Si rrethanë lehtësuese të mërret mosha, gjendja e tij shëndetësore dhe nga gjykata kërkoi që të merret aktgjykim lirues.
Shpallja e aktgjykimit do të mbahet me datë 26.04.2024 në ora 09:20.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore më 23 dhjetor 2021, i akuzuari Musli Shala, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Obiliq, po akuzohet se më 04 tetor 2016, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme me qëllim që personit Eduart Canameti, t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, Shala ka bërë ndërhyrje në të dhëna personale të personit me nr. rendor 11 te vitit 1973, në librin amëz të gjendjes civile të Komunës së Obiliqit, duke regjistruar personin Eduart Canameti dhe duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin Administrativ 01/2015, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më pas ia ka lëshuar certifikatën e lindjes këtij personi.
Për këtë veprim, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Tutje, Shala po akuzohet se edhe me 04 korrik 2019, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në cilësinë e personit zyrtar të Gjendjes Civile në Obiliq, në regjistrin e sistemit elektronik të gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme me qellim që personit Eldin Dergjini, t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që ka bërë ndërhyrje në të dhëna personale të personit Ferdi Berisha, i cili ka qenë i regjistruar në regjistrin themelor të lindjes me numër vijues 8 për vitin 1986.
Shala po akuzohet se me një dëshmi-dëftesë të pagesës së shërbimeve komunale të falsifikuar-dëshmi e pagesës së energjisë elektrike, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personin Eldin Dergjini shtetas i Shqipërisë, duke mos e përfillur vendimin nr.422/19 të datës 17.01.2019, në bazë të cilit është dashur t’i kërkohet dokument identifikues me fotografi kur pala pajiset me dokument të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim, sipas aktit akuzues thuhet se Shala, në bazë të kësaj dëftese, ia ka lëshuar ekstraktin e lindjes personit Eldin Dergjini, duke i mundësuar që pastaj me të dhënat Ferdi Berisha, personi Eldin Dergjini me 30 korrik 2019 ka aplikuar për dokumentet e Republikës së Kosovës dhe 07 gusht 2019, është pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e RKS-së në Qendrën e Regjistrimit në Mitrovicën Veriore.
Me këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Jon Ramadani