|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykim refuzues në rastin e Keqpërdorimeve me kartela bankare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykimi në rastin ku Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Roka, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami që nga fillimi i vitit 2005 me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore, akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë formuar grupin formular, grupin kriminal të organizuar që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me hakerët e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare të shteteve të ndryshme.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fatime Dermaku, për të akuzuarit Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, konform nenit 362, paragrafi 1, pika 1.3, refuzohet akuza për veprat penale “Krim i organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Lëshimi i çeçeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, pasi që në veprimet e të akuzuarve nuk është vëretuar se kanë kryer veprat penale të lartëcekura dhe se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Ndërsa sa i përket veprës penale “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale, të akuzuarit e lartëcekur janë liruar nga akuza, sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, sipas aktgjykimit të shpallur.

Poashtu edhe për të akuzuarën Klodiana Raka gjykata ka marrë të njëjtin vendim, pasi e njëjta akuzohet për “ndihmë” për të njëjtat vepra penale. Sipas gjykatës, Prokuroria Speciale nuk ka arritur ta vërtetojë kryerjen e krimit të organizuar dhe veprave tjera bazë si në aktakuzë, si dhe është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprat përkatëse.

Parashkrim absolut sipas aktgjykimit të shpallur është arritur edhe për veprën penale tjetër “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, e ku Driton Konushevci akuzohej për kryerjen e kësaj vepre.

Ndërsa për të pandehurin Valton Isufi për pikën 4 të dispozitivit të aktakuzës sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, kjo vepër penale është përfshirë në amnisti.

Tutje, në aktgjykim theksohet se për pikën 5 të aktakuzës, për të akuzuarin Artan Prebreza është veçuar procedura dhe do vendoset me vendim tjetër, pasi i njëjti është i përfshirë edhe në pikën 1 të aktakuzës së bashku me Edmond Gashi.

Palët ndaj aktgjykimit kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në shkallën e dytë, përmes shkallës së parë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Roka e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami me veprime kriminale të hyrjes në sistemet kompjuterike bankare, falsifikimit të kartelave bankare dhe tërheqjes së shumave të ndryshme të parave  në emër të personave të dëmtuar përmes agjensionit financiar “Ëestern Union” që operon në Kosovë, kanë përfituar dobi pasurore-financiare  të drejtpërdrejtë në shumën e përgjithshme prej 198,454.10 euro.

Me këtë, sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 274 par 1, lidhur me 23 të KPPK-së lidhur me veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 264 par 2 të KPPK-së, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, nga neni 248 par 3 të KPKK-së dhe “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter