Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të rënda, është shpallur aktgjykim lirues në rastin e të akuzuarit Sherif Hoti, zyrtar i Prokurimit në Komunën e Obiliqit i cili akuzohet nga Prokuroria për veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sot me datë 24 prill, nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi është shpallur aktgjykim lirues në rastin e të akuzuarit Sherif Hoti, zyrtar i Prokurimit në Komunën e Obiliqit, në vendimin e shpallur nga gjykata ndër të tjera u theksua se me veprimet e të akuzuarit nuk është përmbushur elementi i dashjes për të arritur fitim për vetën apo për tjetrin me cka edhe ishte akuzuar nga prokuroria i pandehuri Sherif Hoti.
Andaj, konform nenit 363 par. 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata morri aktgjykim lirues për të pandehurin.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Sherif Hoti në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Obiliqit, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij lidhur me cështjen e prokurimit publik në tenderin e shpallur për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri Sherif Hoti me veprimet e tij i njejti i ka shkaktuar dëm buxhetit shtetëror.
I pandehuri Sherif Hoti, akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha