|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor në rastin e gjykimit ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.

Në seancën  e sotme është bërë administrimi i provave nga Prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanoviç, avokati Ramë Gashi kërkoi që seanca të ndërprehet dhe ti jepet kohë mbrojtjes që t’i shqyrtoj dhe analizoj materialet që i kanë pranuar sot nga prokuroria e pastaj të deklarohen lidhur me to, pas verifikimit me përmbjatjen e CD-së.

‘Fare nuk besoj në transparencën e Prokurorisë së Shtetit’, deklaroi mbrojtësi Gashi, duke arsyetuar me faktin se janë ballafaquar me shkresa, vendime dhe dëshmitarë të dëgjuar të sistemit paralel të Serbisë që kanë funksionuar në Komunën e Leposaviqit.

Lidhur me këtë deklarim, prokurorja Bina-Rugova theksoi se nuk kemi të bëjmë me plotësim të provave, por vetëm precizim të provave.

Në seancën e sotme u propozua edhe dëgjimi i ekspertit financiar, i cili ka përpiluar ekspertizën lidhur me projektet infrastrukturore dhe investimet tjera sipas buxhetit përkatës të Komunës së Leposaviqit.

Propozim për administrim të provave tjera paraqitën edhe disa prej mbrojtësve të të akuzuarve.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet me datë 10 maj 2024, nga ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter