Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuar janë Pjetër Qerimi, Bledar Kusari për veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’’ dhe të akuzuarit Bledar Kusari, Suad Çmega, Diamant Murseli dhe Agim Dedaj për veprën penale ‘’falsifikim i dokumentit’’.
Si shkak i dështimit të kësaj seance gjyqësore e cila është mbajtur dje u bë mungesa e të akuzuarve Agim Dedaj dhe Diamant Murseli.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Agim Dedaj, mbrojtësi i tij av. Bardh Maksuti deklaroi se i njëjti ka qenë në udhëtim zyrtar jashtë shtetit dhe se të njëjtit i është vështirësuar kthimi në kohë për në seancën e sotme.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Diamant Murseli, av. Kadri Mjekiqi me autorizim zëvendësues tha se kishte tentuar të kontaktojë me të, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur.
Andaj, në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sulltan Dobraj tha se në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancë, e njëjta shtyhet për një datë tjetër, gjithashtu shtoi, se për të akuzuarin Deda do të bëhet thirrje e rregullt, ndërsa për të akuzuarin Murseli do të urdhërojë stacionin policor.
Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur me datë 22.08.2023, i akuzuari Pjetër Qerimi ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ashtu që gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’’ nga neni 415 par.1 të KPRK-së.
Në dispozitivin e dytë, i akuzuari Bledar Kusari ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ashtu që gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues,
Me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’’ nga neni 415 par.1 të KPRK-së.
Në dispozitivin e tretë të kësaj akuze, i akuzuari Bledar Kusari përpilon dokumentin e falsifikuar në emër të biznesit ‘’Florida’’ SH.P.K, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal për biznesin e tij ‘’D&T Group’’ SH.P.K, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’ nga neni 390 par.1 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të katërt, i akuzuari Diamant Murseli përpilon dokumente të falsifikuara, dhe atë kontratën e punës të datës 04.01.2017 për nevojat e biznesit N.SH.T. ‘’Victory Com’’, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’ nga neni 390 par.1 të KPRK-së. .
Tutje, në dispozitivin e pestë, i akuzuari Suad Çmega përpilon dokumente të falsifikuara, dhe atë kontratën e punës të datës 12.01.2017 për nevojat e biznesit N.SH.T. ‘’Victory Com’’, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’ nga neni 390 par.1 të KPRK-së. .
Dhe në dispozitivin e fundit të kësaj aktakuze, i akuzuari Agim Dedaj përpilon dokumente të falsifikuara, dhe atë kontratën e punës të datës 25.11.2017 për nevojat e biznesit N.SH.T. ‘’Victory Com’’, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’ nga neni 390 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi