|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallen fajtorë tre zyrtarët e Komunës së Fushë- Kosovës

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës- Departamenti i Krimeve të Rënda, gjatë ditës së djeshme është shpallur aktgjykim dënues në rastin e të akuzuarve Jakup Tërnava në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa- Sadiku, të cilët janë akuzuar për Keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Më datë 25 Prill, nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi është shpallur aktgjykim dënues në rastin e të akuzuarve Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa- Sadiku për veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Andaj, konform nenit 364 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata mori aktgjykim dënues për të akuzuarit, ku i akuzuari Jakup Tërnava u dënua me 2 vite burgim, i akuzuari Ejup Gërguri u dënua me 2 vite burgim ndërsa e akuzuara Liridona Mustafa- Sadiku u dënua me 1 vitë burgim, si dhe u shqiptua dënimi plotësues për të tre akuzuarit ku atyre i  ndalohen ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në  shërbimin publik për 3 vite, e cila ndalesë ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 Shtatorit 2019, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa- Sadiku janë akuzuar për veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar masën e sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij duke lëshuar çertifikatë pronësie e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa- Sadiku u ngarkua në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës, ku kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën e cila kishte masë sigurie nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter