Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, sot ishte paraparë që të mbahej seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 12 zyrtarëve dhe 6 fermerëve të cilët akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, por në mungesë të disa prej të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre është shtyer për një datë tjetër.
I pranishëm nuk ishte i akuzuari Luan Statovci edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, gjithashtu i prezent nuk ishte as mbrojtësi i tij av. Naim Rudari, ku i njëjti të premtën ka njoftuar gjykatën se gjendet në Barcelonë, ku dhe ka bashkëngjitur prova.
Gjithashtu në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Sadat Shkodra, ku sipas mbrojtësit të tij av. Agron Galani, i njëjti ka njoftuar se nuk është mirë me shëndet.
Prezent nuk ishte as i akuzuari Ramiz Ramosaj, ku sipas mbrojtësit të tij av. Sylë Lokaj kishte gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kishte udhëtuar jashtë vendit.
Kështu që, në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë është shtyer për datën 30.05.2024.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë e datës 09.04.2024, në këtë rast akuzohen 12 zyrtarët: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Ramiz Ramosaj, Driton Alaj, si dhe 6 fermerët: Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj dhe Besmir Bicaj, ku ngarkohen se dëmtuan buxhetin e Republikës së Kosovës mbi 100 mijë euro.
Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi