|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon rasti i të akuzuarve në rastin ‘Stenta 2’ – pjesa e veçuar

Sot, më datë 8 Maj 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me trup gjykues Ngadhnjim Arrni, në cilësi të kryetarit, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala, në cilësi të anëtarëve, është mbajtur seanca për të akuzuarit në rastin “Stenta” – Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri, Ferit Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi dhe Murat Abazi, për të cilët është vecuar procedura për shkak të arsyeve shëndetësore për të lartpërmendurit.

Trupi gjykues për këtë rast është ndërruar, andaj edhe krahas KPPRK-së, procedura fillon rishtas. Megjithatë në mënyrë që kjo procedurë të mos prolongohet më shumë se sa është deri më tash, duke marrë parasysh që seanca e fundit është mbajtur në fund të vitit 2012, palët në këtë cështje penale u pajtuan që provat e administruara më herët para trupit gjykues tjetër, të konstatoheshin të lexuara sot.

Në vazhdimin më tej të seancës, të pandehurit një nga një deklaruan që mbështesin deklarimet e dhëna në seancat e kaluara ta mbajtura para trupit gjykues tjetër dhe kanë shfrytëzuar për më tej të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Meqënëse palët nuk kishin propozime të tjera, seanca e ardhshme (për fjalën përfundimtare) u caktua të mbahet më datë 6 Qershor 2024, në ora 14:00.

Në rastin e njohur si “Stenta”, fillimisht në një proces gjyqësor të akuzuar kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë qysh në shqyrtimin fillestar.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit “Stenta 2”, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSRK pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro. Megjithatë në bazë të një plotësim ekspertize e cila sot është lexuar në kuadër të provave materiale, eksperti financiar ka konkluduar në ekspertizë që dëmi total i shkaktuar në fakt paska qenë vlera 11,430.00 Euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter