Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me gjyqtar Gëzim Ademi, sot më datë 10 Maj, është mbajtur shqyrtimi fillestar për të akuzuarit Bujar Shkodra, Sabit Makiqi dhe Bashkim Hasanaj, të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 i KPRK-së.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit, Zef Prendrecaj, të akuzuarit e lartpërmendur u deklaruan të pafajshëm.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 29.09.2023, Bujar Shkodra, Sabit Makiqi dhe Bashkim Hasanaj po akuzohen, sepse si pronarë të kompanive të tyre përkatëse, kanë marrë pjesë në Aktivitetin e Prokurimit në Policinë e Kosovës për “Furnizim me Uniforma Operacionale” dhe kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, ku me qëllim të mashtrimit në procedurë të prokurimit kanë paraqit një mostër të huaj (secili vec e vec) dhe e kanë prezentuar si mostër të një kompanie tjetër, ku rrjedhimisht kanë ndërhyrë në heqje të logos dhe numrit serik të kompanisë fillestare të cilës i ka takuar produkti. Origjina e vërtetë e produktit të paraqitur ka qenë i njëjtë për të tretë, ndërsa origjina e pretenduar e mostrës ka qenë i ndryshëm për të tretë.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli