|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin ndaj pronarit të kompanisë “Sallahu” dhe auditorit të MI-së

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues, Avni Syla, në cilësi të kryetarit, Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi, në cilësi të anëtarëve, është mbajtur seanca ndaj drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliu, si dhe të ish-drejtorit të kompanisë “Sallahu” Sh.p.k, Naim Sallahu, të akuzuar për Korrupsion.

Seanca e sotme ka filluar me dëgjimin e dëshmitares M.B. Dëshmitarja nga pyetjet e parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Begzat Musliu ka shprehur vetëm që ajo ka qenë zyrtare ligjore në Ministri të Infrastrukturës. Dëshmitarja më tej ka deklaruar që ajo ka qenë pikë kontakti në mes Avokaturës Shtetërore dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Për më tej, dëshmitarja lidhur me takimin e mbajtur me sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës ku është diskutuar kërkesa e V.B për futjen në listë të zezë të Operatorit Ekonomik Sallahu, ka shprehur që nuk i kujtohet.

Dëshmitari H.M, në pyetjet nga mbrojtësi Flamur Bllaca (i të akuzuarit Begzat Musliu), ka shprehur që ka qenë prezent në takimin me sekretarin e Minstrisë së Infrastrukturës (tutje referuar si “M.I”) ku është diskutuar në lidhje me kërkesën e V.B për futjen në listë të zezë të Operatorit Ekonomik Sallahu. Më tej ai ka shprehur që sekretari I.B ka kërkuar nga ai dhe dëshmitarja paraprake/zyrtarja ligjore nga Departamenti Ligjor M.B, takim lidhur me një ankesë që është bërë dhe ka kërkuar mendimin e tyre. Ankesa, dëshmitari ka treguar që ka qenë nga OE Sallahu në lidhje me vlerësimin e tenderit për ndërtimin e urës në lokacionin Pejë-Kuqishtë. Dëshmitari ka vazhduar deklaratën duke shprehur që pasi nuk ka pas të bëjë më aspekt teknik dhe ka qenë cështje administrative e që rrjedhimisht ka pas të bëjë me Prokurim, atëherë kishte sugjeruar që të angazhohej auditori për cështje të brendshme ashtu sic edhe ishste vepruar në raste paraprake.

Dëshmitari i tretë SH.K, në pyetjet nga i akuzuarit Naim Sallahu, ka deklaruar që e njeh Fadil Shehun dhe ai e ka propozuar tek kompania Sallahu kur vetë Naim Sallahu i ka kërkuar personel e specifikisht gjeodet.

Pasi palët nuk kishin më propozime shtesë për plotësim te provave, mbrojtja e të akuzuarve ka mbetur të vazhdohet për datë 10 Qershor, në ora 13:30. 

Sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull” Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”, ku i pandehuri ka vepruar vetëm me kerkesë të Operatorit Ekonomik ”Sallahu” Sh.p.k, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ”Sallahu” Sh.p.k, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në OSHP. Të njëjtit i ka dërguar Operatorit Ekonomik, ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP, ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsideroj si provë relevante duke theksuar se ja falë besimin këtij raporti dhe si rezultat i kësaj, kërkesa Drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.p.k të ishte tutje në listën e zezë të OSHP-së. Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale  ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë ”Sallahu” Sh.p.k, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ”Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin ”Zgjërimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik)”, por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH. Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’.

Kujtojmë se në këtë aktakuzë, i akuzuar ka qenë edhe Fadil Shehu, i akuzuar se në cilësinë e dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rremë në betim, mirëpo ndaj të njëjtit është vecuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe se ndaj tij është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter