|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti financiar në rastin e gjykimit ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.

Në fillim të seancës mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan paraqitjen e Prokurorisë Speciale lidhur me provat e prezantuara me dy shkresa të ndryshme.

Mbrojtësi i ish-kryetarit Dragan Jabllanovic, avokati Ramë Gashi deklaroi se prova 1 nuk paraqet asgjë inkriminuese për të mbrojturin dhe se ka vërejtje në mënyrë gjenerale mbi provat e paraqitura.

Njëkohësisht dhe mbrojtësit Xhafer Tahiri dhe Arianit Koci deklaruan se provat nuk kanë sqaruar asgjë dhe në asnjë mënyrë nuk e dëshmojnë fajësinë e të mbrojturve të tyre dhe se në dispozitiv nuk shpjegohet veprimi inkriminues i të mbrojturve.

Në seancën e kaluar disa prej mbrojtësve kanë propozuar prova të tjera për administrim, për të cilat trupi gjykues mori aktvendim për pranimin e tyre për administrim.

Në vazhdim të seancës, u dëgjua eksperti financiar Bekim Hertica, ndaj të cilit mbrojtësit e të akuzuarve dhe prokurorja parashtruan pyetje lidhur me ekspertizën financiare.

Mbrojtësja Saranda Beqiri deklaroi se sa mund të konstatohet plotësisht gjendja faktike në qoftë se janë marrë në shqyrtim vetëm dokumentacion apo sqarime të njërës palë, për të cilën eksperti Hertica deklaroi se janë marrë në shqyrtim vetëm dokumentacioni i Prokurorisë dhe nuk ka qenë e nevojshme kontaktimi i ndonjë pale tjetër.

Ekspertizën e ekspertit Hertica e vunë në dyshim edhe mbrojtësit tjerë të cilët kundërshtuan ekspertizën pasi përmban konstatime ligjore, e për të cilat nuk ka qenë i thirrur eksperti dhe se nuk ka kompetencë për konstatime ligjore, por vetëm në aspektin financiar.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor në këtë rast do të mbahet me datë 4 dhe 22 Korrik 2024, nga ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter