|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti financiar në rastin e ish-zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, theksoi se mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Nuredini, av. Agron Selimaj, i ka dërguar gjykatës një shkresë lidhur me administrimin e provave të reja, për të njejtat, Prokurori Special, Milot Krasniqi, nuk kishte kundërshtim lidhur me administrimin e tyre dhe shtoi se nuk ka propozime të reja për administrim të provave materiale pasi që të njejtat i ka dërguar gjatë vitit 2023.

Lidhur me administrimin e këtyre provave të propozuara, trupi gjykues morri aktvendim duke aprovuar propozimin e mbrojtjes si dhe të Prokurorisë Speciale, dhe këto prova materiale u cilësuan si të lexuara.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit financiar Agim Sheqiri.

Në elaborimin e ekspertizës, nga pyetjet e Prokurorit Special, Milot Krasniqi, eksperti vazhdoi duke përmbledhur të gjeturat e dalura nga ekspertiza, ai shtoi se ANP, kishte inicuar aktivitetin e prokurimit, pastaj kishte filluar me implementimin e kontratës, por si e tillë nuk ishte përfunduar brenda afatit kohor, ai shtoi se lidhur me këtë projekt kishte lindur edhe aneks kontrata, përfundimisht në mënyrë të një anëshme kontraktori ka bërë shkëputjen e kësaj kontrate.

Në vazhdim, eksperti theksoi se lidhur me dokumentacionin me të cilin provohet se është inicuar nga autoriteti kontraktues ndonjë masë mbrojtëse ndaj Operatorit Ekonomik, duke theksuar se nuk ishte ndërmarrë një veprim i tillë dhe shtoi se personat tani të akuzuar sipas kontatimit të ekspertit ishin përgjegjës lidhur me cështjen e masave mbrojtëse. Tutje, ai shtoi se roli i kryeshefit në rastin konkret ishte kyc, për faktin se është person që aprovon kërkesat për inicimin e një aktiviteti të prokurimit.

Tutje, lidhur me dokumentacionin sa i përket ceshtjes së Menaxherit të Prokurimit, drejtuar Kryeshefit ekzekutiv dhe menaxherit të kontratës, eksperti theksoi se ekziston një email, i cili i ishte dërguar Menaxherit të kontratës, por ai thekoi se nuk ka vërejtur ndonjë veprim nga personat përgjegjës.

Kurse, lidhur me zgjatjen e afatit të kryerjes së kontratës, dhe mos përfundimin e punimeve, eksperti theksoi se ka njohuri lidhur me këtë cështje, dhe shtoi se zgjatja e afatit mund të lejohet sipas kushteve të vecanta të cilat i parasheh autoriteti kontratktues, ndërsa, tutje shtoi se nuk ka hasur në ndonjë rrethanë e cila do të lejohej zgjatja e afatit në rastin konkret.

Sa i përket kontratës bazë të projektit ishte i përfshirë edhe një pozicion i cili lidhet me vendosjen e sistemeve ekzistuese apo rilokimin e tyre, eksperti theksoi se këtë cështje e ka sqaruar edhe në ekspertizë dhe se kjo kishte qenë e përfshirë në kontratën paraprake, sipas rregullave të prokurimit eksperti theksoi se nëse një pozicion i cili prokurohet një herë dhe përfundon nuk mund të bëhet prokurim tjetër.

Sa i përket cështjes së shkëputjes së kontratës në mënyrë të njëanëshme nga OE dhe se pas kësaj është bërë një pagesë, eksperti theksoi se me këtë kuptohet se Autoriteti Kontraktues, duhej të bënte vlersimin dhe të shikonte obligimet ndaj kontraktorit por në rastin konkret nuk kishte ndodhur.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Nuredini, av. Agron Selimaj, theksoi se pasi kanë dalur rrethana të reja nga elaborimi i ekspertit financiar, kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të ndërpritet, dhe marrja në pytje nga mbrojtja të vazhdojë në seancën e radhës.

Trupi gjykues, pas konsultimit aprovoi kërkesën e mbrojtësit Agron Selimaj, duke ndërprerë seancën dhe theksoi se e njejta do të vazhdojë me datë 03 Qershor nga ora 09:30.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të njëjtit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN Internation” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’ rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.

Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.

Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter