Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim lirues në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar akuzohej se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.
Sipas aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Sllamniku lirohet nga akuza për shkak që nuk është vërtetuar kryerja e veprave penale për të cilat akuzohej, përkatësisht për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe ‘Marrje e ryshfetit’.
Gjyqtarja e rastit Alltëne Murseli, deklaroi në arsyetimin e aktgjykimit se, i pandehuri ka pranuar paratë sipas praktikës gjyqësore, përkatësisht pagesës e cila paguhet për ekspertët për ekspertizat gjyqësore dhe se nuk janë plotësuar elementet e veprave penale që i vihen në barrë të akuzuarit.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit në afatin prej 30 ditësh në gjykatën e shkallës së dytë, përmes gjykatës së shkallës së parë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.
Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.
Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.
Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti