Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit, i cili kishte mbetur duke u dëgjuar nga seanca e kaluar.
Në vazhdim, nga pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit, Bahri Nuredini, av. Agron Selimaj, lidhur me cilësin e ekspertit në rastin konkret se cilës lëmi i përket, eksperti theksoi fillmishtë se ka përvojë që nga viti 2002, ndërsa sa i përket rastit konkret, shtoi se është caktuar edhe për prokurim por, edhe financiar.
Tutje, lidhur me dokumentacionin për përpilimin e ekspertizës, eksperti theksoi se nuk ka kërkuar nga AshNA, pasi që dokumentacioni ka qenë i mjaftueshëm, po ashtu, njësoj kishte vepruar edhe me Komitetin Drejtues Ndërministror.
Kurse, sa i përket një vlersimi të bërë nga një kompani Italiane, të cilën e ka përmendur në ekspertizë, ku kishte konstatuar se kjo kompani ishte më e lirë se ajo e kontraktuar, eksperti theksoi se kjo kompani nuk kishte bërë kërkesë për tender.
Kurse, sa i përket ndonjë dokumenti lidhur me kërkesën apo paraofertën e Kompanisë Italiane se nga kush ishte bërë, eksperti theksoi se nga dikush prej AshNA, por jo edhe emër të personit, dhe rrjedhimisht në atë kohë kur kjo kërkesë ishte dërguar në Aeroport, kryeshef ekzekutiv nuk ishte tani i akuzuari, Bahri Nuredini.
Lidhur me deklarimin e tij në seancën e kaluar, sa i përket një email-i, eksperti theksoi se nuk është email-i i cili i referohet av. Agron Selimaj, por ka të bëjë me një konstatim nga një email tjetër, kurse sa i përket këtij email-i, eksperti theksoi se nuk i kujtohet që e ka parë ndonjëherë.
Kurse, sa i përket konstatimit edhe nga seanca e kaluar lidhur me përgjegjësin e vendimit final për dhënien e kontratës, eksperti theksoi se Menaxheri i Prokurimit, është personi përgjegjës për të gjitha aktivitetet e Prokurimit.
Ndërsa, lidhur me çështjen se, eksperti nuk kishte parë ndonjë shkresë apo dokument që Kontraktori ju është drejtuar Autoritetit Kontraktues, për ndërprerjen e punimeve, lidhur me këtë çështje eksperti shtoi se qëndron pranë deklarimit të tij, se kishte qenë obligim i Autoritetit Kontraktues, konform ligjit që, të merrte veprimet e nevojshme në drejtim të penalizimit që mos të vinte deri tek shkëputja e kontratës.
Lidhur me çështjen e shkëputjes së një anëshme të kontratës, eksperti theksoi se kishte ardhur si pasojë e mos pagesës nga Autoriteti Kontraktues, ndërsa këtë obligim e kishte përmbushur pasi që është shkëputur kontrata.
Kurse, sa i përket konstatimit lidhur me planifikimin e buxhetit nga Autoriteti Kontraktues, në pyetjen e av. Agron Selimaj, se a mund të fillohej ky aktivitet, pa u nënshkruar deklarata e buxhetit, eksperti theksoi se në parim nuk mund të ndodh, dhe rrjedhimisht edhe në rastin konkret Autoriteti Kontraktues e kishte këtë dokument dhe ishte zotuar për mjetet të cilat i kishte në dispozicion.
Ndërsa, në deklarimin e tij se për çdo projekt me rastin e përfundimit, duhet të bëhet pranimi teknik i punëve nga ana e Komisionit, të caktuar nga Autoriteti Kontraktues, eksperti theksoi se deri më tani nuk ka parë një pranim të tillë.
Kurse lidhur me deklarimin edhe nga seanca e kaluar, rreth matjes së dëmit dhe se duhej të angazhoheshin ekspert të fushës përkatëse, eksperti theksoi, se nuk ka obligim ligjor që të udhëzojë Prokurorin për ndonjë çështje, por detyrë e tij është që të bëjë vlersim në raport me detyrat e marra.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, theksoi se pasi orari i punës së Gjykatës është afër përfundimit, seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe se shqyrtimi i radhës do të vazhdojë me datë, 17 dhe 18 Korrik nga ora 09:30.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.
Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha