|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve për 400 KG kokainë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi për importim të 400 kg kokainë.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës M.H.

Në pytjet e mbrojtësit të të akuzuarit Izet Sheqiri, av. Besnik Berisha, lidhur me një kompani të quajtur ‘MSC.com’ se a kishte bashkëpunim me ‘Mc Food’, dëshmitarja theksoi se po, gjithashtu shtoi se kanë pasur edhe probleme për inspektim të kontinjerëve në Portin e Durrësit, dëshmitarja theksoi se i kujtohet email-i.

Po ashtu, lidhur me termin ‘CIF’ – Durrës, dëshmitarja, theksoi se ka kuptimin për shpenzimet e sigurimit të transportit detar.

Bazuar në interpretimin e ‘CIF’, Kompania ‘Mc Food’ nga cili moment e ka përgjegjësin e dërgesës fizikisht dhe duke u bazuar në kontratë. Lidhur me këtë pytje, Prokurori Special, Valdet Gashi, kundërshtoi duke arsyetuar pasi që nuk është në harmoni me formën e marrjes në pytje. Por, lidhur me këtë cështje, trupit gjykues theksoi se pasi që dëshmitarja është përgjigjur në Prokurori, pytja lejohet. Dëshmitarja, theksoi se kjo bëhet që nga momenti i arritjes së kontinierit në portin e Durrësit.

Ndërsa, sa i përket rasteve të parregullsive se kush ishte përgjegjës për kompenzimin, dëshmitarja theksoi se kjo pjesë është marrë përsipër nga Furnitori, dhe shtoi se kjo gjithashtu ishte pjesë e marrëveshjes.

Kurse, lidhur me fotografimin e bllombës nga shoferi i ‘Mc Food’, me rastin e pranimit të kontinierit ne Durrës, në pytjen se pse është kërkuar ky fotografim, dëshmitarja theksoi se, kjo cështje është për shkak të parregullsive që i kanë pasur në atë kohë.

Ndërsa, lidhur me atë se në pronësi të kujt ishin ato ‘bllombat’, dëshmitarja theksoi se këto ishin në përgjegjësi të furnitorit apo linjës detare, dhe jo të kompanisë në rastin konkret ‘Mc Food’. Gjithashtu, dëshmitarja theksoi se kontiniereët janë në pronësi të linjës detare.

Në vazhdim të dëshmisë së saj, sa i përket cështjes së konfirmimit të pagesës, dëshmitarja theksoi se në momentin e arritjes në portin e Durrësit, duhet të procedohet me pagesë të mallit dhe pas kësaj dërgohet konfirmimi i pagesës tek furnitori, pastaj vazhdohet me lirim të kontinierit.

Sipas faturës për shpenzimet e portit në kontinierin të cilin janë sekuestruar 400 kg. drogë, aty është edhe shuma e cila është paguar, 4 ditë para se të tërhiqej kontinieri, dëshmitarja shtoi se kjo vlerë dërgohet kur ngarkohen kontinierët.

Ndërsa, sa i përket ndonjë kërkese që kontinieri në të cilin është gjetur droga të jetë kërkuar të mos hyjë në skaner, dëshmitarja theksoi se në dijeninë e saj kjo nuk ka ndodhur.

Në vazhdim, av. Besnik Berisha, theksoi një kërkesë për të mbrojturin e tij të akuzuarin Izet Sheqiri, i cili ende ndodhet në masën e paraburgimit, duke kërkuar që masa e paraburgimit të i largohet dhe të i vendoset një masë më e lehtë, duke arsyetuar se nuk ka më bazë që i njejti të mbahet në paraburgim, dhe rrjedhimisht duke u bazuar edhe në masat e të akuzuarve tjerë. Po ashtu, në këtë kërkesë është bashkangjitur edhe mbrojtësja e të akuzuarit Faton Vrajolli, av. Nora Grajcevci me arsyetimin e njejtë.

Sa i përket kësaj kërkese, Prokurori Special, Valdet Gashi, theksoi se e kundërshtojnë propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin se ekzistojnë ende arsyet që të njejtit të mbeten nën masën e paraburgimit.

Lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes trupi gjykues morri aktvendim, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke theksuar se mbetet në fuqi aktvendimi i Gjykatës, lidhur me vazhdimin e paraburgimit.

Seanca e radhës do të mbahet me datë: 20 Qershor nga ora 09:30.

Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.

Të akuzuarit e lartëpërmendur sipas Prokurorisë Speciale, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter