|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e 11 të akuzuarve për shpërthimet me granata në dy lokale në Prishtinë dhe Mitrovicë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli po akuzohen për disa vepra penale, në lidhje me shpërthimin me granata në lokalet ‘Riza Hair Salon’ dhe ‘Missini’.

Në seancën e sotme janë dhënë fjalët përfundimtare të të akuzuarve të mbetur nga seanca e kaluar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Arianit Pllana deklaroi se duke u bazuar në shqyrtimin gjyqësor dhe provat që janë administruar prokuroria nuk ka arritur me asnjë provë të vërtetoj pretendimet e saj se janë kryer veprat penale të cilat akuzohet Pllana. I njëjti poashtu deklaroi se nuk është vërtetuar kryerja e veprimeve të të mbrojturit të tij, sepse nuk dihet udhëheqësi i grupit, nuk dihet marrëveshja mes anëtarëve të grupit dhe poashtu kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale. Mbrojtësi kërkoi rikualifikim të veprës penale, në të kundërtën për veprat penale për të cilat akuzohet Pllana trupi gjykues ta liroj nga akuza.

Ndërsa i akuzuari Pllana në fjalën përfundimtare të tij pranoi fajësinë për veprat penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, si dhe ‘Deklarimi i rrejshëm’.

Tutje, në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Kreshnik Kurti, mbrojtësi i tij, avokati Kamer Cakaj deklaroi se asnjëri nga të akuzuarit dhe të dëmtuarit nuk e përmend të mbrojturin e tij se është i përfshirë në kryerjen e veprës penale, poashtu nga përgjimet nuk vërtetohet se është i ndërlidhur me veprën në fjalë, duke kërkuar kështu aktgjykim lirues.

Mbrojtësja e të akuzuarit Fidan Cakolli, avokatja Ardiana Azemi theksoi se prokuroria nuk ka arritur të vërtetoj se Cakolli është kryes i veprës penale për të cilën akuzohet, ndërsa deklaroi për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ për gjuajtjen e molotovit se qëllimi i tij nuk ka qenë dëmtimi i ndokujt, mirëpo në atë kohë ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike, e cila kërkoi nga gjykata ta merr parasysh këtë fakt.

Se i akuzuari Gentrit Ismaili ka kryer veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ deklaroi edhe mbrojtësi i tij Ilir Bekteshi, i cili theksoi se i mbrojturi i tij ka pranuar veprimet e veta për këtë vepër, mirëpo jo edhe veprat tjera, duke përfshirë ekzistimin e grupit kriminal, pasi i njëjti nuk i njeh anëtarët e tjerë dhe i njëjti kërkoi nga trupi gjykues që përveç veprës penale të lartëcekur, ta liroj nga akuza të mbrojturin e tij nga veprat tjera penale për të cilat akuzohet.

Poashtu aktgjykim lirues kërkuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Diar Rraçi dhe Egzon Cakolli.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 14 qershor 2024, nga ora 10:00.

Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter