|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitari në rastin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në QKUK

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, me trup gjykues, Naser Foniqi në cilësi të kryetarit, Fatime Dermaku dhe Ertan Sejulla, në cilësi të anëtarëve, sot më datë 11 Qershor 2024, është mbajtur seanca për të akuzuarit Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi.

Në seancën e sotme ka qenë në plan të dëgjohej në cilësi të dëshmitares, përfaqësuesja ligjore e QKUK-së, T.I.SH.

Në pyetjet nga mbrojtësi i Ylber Krasniqit, dëshmitarja ka shprehur që lidhur me tenderin për “Furnizimin dhe montimin e sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integrimin e sistemit të kontrollit të qasjes”, vetëm ka dëgjuar sepse këto procedura i zhvillon sektori i prokurimit. Në pyetjen e mëtejme të mbrojtësit dhe citoj: “Nëse do ishte dëmtuar buxheti i QKUK-së, ju si zyre ligjore cka do të kishit ndërmarrë?”, dëshmitarja u përgjigj se ata merren kur te vjen si kontest gjyqësor, megjithatë nëse supozimisht do të dëmtohej, ajo që do duhej të lajmëronte do të ishte sektori i financave dhe pastaj në bashkëpunim me menaxhmentin do të vendoste për hapa të mëtejshëm.

Më tej, dëshmitarja T.I.SH ka shprehur që para se të vinte në seancën e sotme është konsultuar me zyrën e financave në QKUK dhe ata kanë deklaruar gojarisht që nuk ka pas dëm. Dëshmitarja gjithashtu ka shprehur sërish për fund që për këtë rast, duke përfaqësuar këtu zyrën ligjore të QKUK-së, nuk kanë inicuar kontest gjyqësor.

Në fund të seancës, duke i marrë parasysh të lartthënat nga dëshmitarja, Prokurori i Shtetit, Zef Prendrecaj propozoi dëgjimin e katër dëshmitarëve, nga të cilëst vetëm dy iu aprovuan nga Trupi Gjykues dhe atë për dëgjimin e ish-drejtorit të SHSKUK-së, V.K, dhe përpiluesit të raportit të auditimit të brendshëm. Ky i fundit u propozua sepse kjo cështje penale është inicuar në bazë të raportit të auditimit, andaj për këtë dëshmitar është aprovuar propozimi ashtu që të sqaroj procedurat e zhvilluara në këtë aktivitet të prokurimit dhe keqpërdorimet e mundshme që janë gjetur në këtë raport.

Duke i marrë parasysh propozimet e aprovuara, seanca e sotme është ndërprerë. Seancat e radhes janë caktuar për datë 24 Korrik nga ora 13:10 dhe 29 Korrik nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 22 mars 2022, Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 dhe 2, lidhur me par.3, pika 3.2. e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, më 22 dhjetor 2020, në QKUK, në cilësinë e personave zyrtarë IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe “Artech”, kanë nënshkruar raport fiktiv se i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshinë pranimin e mallit, ekzekutimi i punimeve dhe pranimi teknik i punimeve.

Më tej, thuhet se në këtë raport ka qenë e cekur se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.

Sipas kësaj aktakuze, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK, i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter