|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohet e pafajshme Kryetarja e Komunës së Graçanicës për mosdeklarim të pasurisë

Ta martën e 26 tetorit 2023, në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin e Përgjithshëm është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarës Ljiljana Subaric, Kryetare e Komunës së Graçanicës, e akuzuar për veprën penale: Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Në këtë seancë, e akuzuara Ljiljana Subaric, u deklarua e pafajshme lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Pas deklarimit të të akuzuarës, gjyqtari i çështjes Sabit Sadikaj, të akuzuarës i dha afat prej 30 ditëve për kundërshtimin e provave si dhe paraqitjen e kërkesës për hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, e akuzuara Ljiljana Subaric, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, përkatësisht në cilësi të Kryetares së Komunës së Graçanicës, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e deklarimit të pasurisë për vitin 2021, duke mos deklaruar pasurinë e paluajtshme- parcelën në zonën kadastrale në Gushtericë e Poshtme, Komuna e Graçanicës, me sipërfaqe prej 400 m2, në emër të bashkëshortit të saj S.S.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale: Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430, par. 2 të KPRK-së.

Personat e lartëcekur janë të pafajshëm derisa pafajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter