|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku akuzohet ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media (KPM) Luan Latifi, për veprën penale të korrupsionit.

Në fillimin të seancës gjyqtari i rastit Alban Ajvazi konstatoi mungesën e mbrojtësit të palës së dëmtuar, avokatit Naim Rudari, i cili ka njoftuar gjykatën paraprakisht për vonesën e tij.

Duke marrë parasysh që mbrojta ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e prokurorës Merrushe Llugiqi, kryetari i trupit gjykues deklaroi se në këto rrethana është pengesë procedurale për të vazhduar mëtej me shqyrtimin gjyqësor, përderisa nuk ka një vendim nga Kryeprokurori i Shtetit lidhur me këtë çështje.

Në rrethana të tilla u konstatua mungesa e kushteve ligjore për të proceduar më tej me seancën, në të cilën ishte paraparë të bëhej deklarimi i të pandehurit si dhe dhënia e fjalëve përfundimtare.

Në këtë situatë, shqyrtimi gjyqësor i radhës u caktua të mbahet më datë 01 nëntor 2023, nga ora 09:30.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

Në rastin ndaj Latifit, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Personat e lartëcekur janë të pafajshëm derisa pafajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Leotrim Pajazitit

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter