|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohen dy të dëmtuar dhe dy dëshmitar në rastin ndaj të akuzuarit për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten janë deklaruar dy të dëmtuar dhe dy dëshmitarë në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Në deklarimin e të dëmtuarit Festim Krasniqi në pyetjet e prokurores së rastit Merita Lumezi, i njëjti deklaroi se në korrik të 2022 e kanë kuptuar kur janë telefonuar nga një hetues policor se nuk ka pasur nevojë të paguhet për ekzaminimin nënës së tij Fazile Krasniqi në SHSKUK lidhur me procedurën e vlerësimit të shkallës së invaliditetit për marrjen e pensionit invalidor, dhe se për pagesën e bërë janë udhëzuar nga avokati i tyre në procedurën administrative, në të cilën dhe kanë ngritur padi në lidhje me këtë çështje.

“Pagesa për ekspertizë kushton 300 euro dhe mbulohet nga gjykata“, deklaroi i dëmtuari Krasniqi, në pyetjen nga anëtari i trupit gjykues Gëzim Ademi, lidhur me atë se çfar ka shënuar në vendimin për ekspertizë të pranuar nga pala.

Mirëpo të njëjtën pagesë i dëmtuari theksoi se e kanë paguar tek tre xhirollogaritë e mjekëve, anëtarë të komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit dhe për këtë me kërkesë të mjekut Sabit Sllamniku.

Se i akuzuari Sllamniku ka kërkuar pagesë prej 300 euro në lidhje me këtë çështje deklaroi edhe i dëmtuari tjetër Ekrem Saqik, duke theksuar se i njëjti e ka thirrur në telefon se duhet të bëhet pagesa, meqë rast i dëmtuari ka theksuar se nuk ka mundësi pagese për shkak të kushteve të dobëta ekonomike dhe se është i liruar nga pagesa për shkak të kartelës së “Hendikos-it, por që pastaj është detyruar ta bëjë të njëjtën pagesë dhe atë me para në dorë.

Ndërsa në pyetjen e gjyqtares Alltëne Murseli se pse ka refuzuar ekzaminimin në prani të mjekëve, i dëmtuari Saqik deklaroi se ka pasur të vendosur përgjuesin në veshje dhe i njëjti ishte parë pastaj nëse ishte ekzaminuar sipas udhëzimeve të mjekut, përgjues i vendosur në bazë të zbatimit të masës së fshehtë teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Në vazhdim të seancës u deklaruan poashtu edhe dëshmitarët Luan Jaha dhe Gani Jashanica.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./DrejtësiaSot

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter