Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda u mbajt seanca ndaj të akuzuarit Bedri Duraku i cili akuzohet për veprën penale: Falsifikim i dokumentit zyrtar.
Kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi hapi seancën gjyqësore në të cilën konstatoi se të pranishëm ishin Prokurori Bashkim Zeqaj, i akuzuari Bedri Duraku me mbrojtësin e tij Naim Rudari kurse e dëmtuara Emine Kaçiku nuk ishte e pranishme edhe pse ajo është ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.
I akuzuari në njërën nga pyetjet e bëra nga prokurori ai deklaroi se ai ka shkruar dy shkresa që konsiderohen si njoftime. Ai deklaroi se njërin njoftim e ka shkruar në dy fletë dhe e njëjta është protokolluar dhe në ndërkohë mbikqyrësi im në një interval kohor prej 20-30 minutave ka kërkuar që këtë njoftim ta plotësoj/ndryshoj me gjëra të tjera. I akuzuari deklaroi se shkresa e dytë që ka karakter njoftues, e njëjta është protokolluar si plotësim/ndryshim i shkresës së parë.
Anëtari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni i parashtroi pyetje të akuzuarit se nga ajo që keni dëshmuar në këtë seancë është diametralisht e kundërt me atë se çka ka dëshmuar mbikqyrësi juaj i drejtpërdrejtë. Pse në seancën kur ka dëshmuar dëshmitari E.P dhe ka deklaruar se po e thotë të vërtetën, atëherë pse ju nuk reaguat në atë moment duke e kundërshtuar dëshminë e tij se nuk po e thotë të vërtetën. I akuzuari përgjigjet se për hir të respektit të funksionit që ka pas dëshmitari dhe në konsultim me avokatin e kam parë më të arsyeshme që mos të ndërhy gjatë dëshmisë së tij.
Gjyqtari Arrni pyet të akuzuarin se ju keni deklaruar se nuk është detyrë e juaja të jepni opinione ligjore kurse në njoftimin që e keni përpilu përmban edhe mendime mbi bazën juridike, atëherë pse keni dhënë mendime juridike përderisa nuk keni pas kompetencë për të dhënë.
I akuzuari ndaj kësaj pyetje u përgjigj se në secilën shkresë e akt juridik duhet me ju parafrazu një dispozite ligjore, ndërsa opinioni ligjor është atëherë kur në të theksohet se duhet apo nuk duhet të veprohet diçka, e ndërsa unë vetëm kam përpiluar një akt njoftues dhe se është në duart e Këshilit Gjyqësor se çka të veprojë më tutje.
Kryetari i trupit gjykues caktoi datën 08 nëntor 2023 nga ora 08:40 për dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.
Prokuroria Themelore Prishtinë me datë 28 janar 2020 kishte ngritur aktakuzën ndaj Bedri Durakut duke e ngarkuar me akuzën falsifikim i dokumentit zyrtar. Sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar ka bërë përpilimin e shkresës zyrtare gjegjësisht të aktit me përmbajtje të rremë ashtu që pa autorizim aktin e përpiluar për vazhdimin e mandatit të Panelit për Lirim me Kusht të protokolluar, i përpiluar në tre faqe, e ka ndryshuar duke e bërë të njëjtin në dy faqe, duke e ndryshuar përmbajtjen e tij. Ashtu që faqja e parë është tërësisht e njëjtë, e dyta mungon ndërsa faqja e tretë është modifikuar nga origjinali ashtu që është hequr baza ligjore për vazhdim të mandatit të anëtarëve të PLK-së. Ai ka lënë të njëtë numrin dhe datën e njëjtë të protokollit të aktit paraprak si dhe duke e nënshkruar aktin e ndryshuar, i cili veç se është protokolluar dhe dërguar për prezantim në mbledhje të KGJK-së, e në bazë të të cilit tani të dëmtuarës gjyqtares Emine Kaçiku me datë 25 shtator 2015 i ishte vazhduar mandati si kryesuese e PLK-së, ndërsa me aktin zyrtar të falsifikuar të dëmtuarës me datë 21 korrik 2016 i është ndërprerë mandati si kryesuese e PLK-së.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Arta Hyseni