|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dënohet me 3 muaj burgim dhe 500 euro gjobë i akuzuari për Dhënie ryshfeti

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim fajësues në rastin ku akuzohet Hajdar Dili për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’.

I akuzuari Hajdar Dili, i cili në seancën paraprake të ditës së sotme ka pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti ndaj zyrtarit policor Sabri Shabani, i cili në po të njëjtin rast akuzohet për marrje ryshfeti si person zyrtar, ndaj të cilit është veçuar procedura pas pranimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga gjykata për të akuzuarin Dili.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Gëzim Ademi, i akuzuari Dili dënohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajve, dënim i cili mund t’i zëvendësohet me gjobë me pëlqimin e tij në shumën prej 2000 euro.

Krahas dënimit me burgim, u dënua edhe me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro. Ndërsa në emër të paushallit gjyqësor i njëjti obligohet të paguajë shumën prej 50 euro, poashtu në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit në shumën prej 50 euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Hajdar Dili, po akuzohet se me datën 28 prill 2022 para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, është takuar me të pandehurin Sabri Shabani i cili ishte në cilësi të personit zyrtar dhe pas marrjes së librezës së qarkullimit të autobusit, vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë ku të dyshuarit Sabri Shabani ja jep 50 € (pesëdhjetë euro), në mënyrë që ai person të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që i pandehuri ta kthejë librezën e qarkullimit të autobusit të markës Setra dhe të mos i shqiptoj fletëparagitje për kundërvajtje punëtorit Ruzhdi Dili i cili ishte shofer në kompaninë ‘Dita’, pronar i së cilës është i pandehuri Hajdar Dili.

Me këtë, Prokuroria e akuzon të pandehurin Hajdar Dili se ka kryer veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’ nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter