|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështoi seanca gjyqësore për rastin ‘’Subvensionet’’ II

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin Special dështoi seanca ndaj pesë të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione. Të akuzuar në këtë rast janë Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj. 

Kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani konstatoi se nuk ka kushte për të mbajtur seancën pasi që dy të akuzuar nuk kishin mbrojtësit e tyre të pranishëm në seancë, njëri mbrojtës mungoi për arsye shëndetësore kurse i akuzuari Sedat Shkodra nuk kishte të angazhuar mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Gjyqtarja Namani caktoi seancën e radhës me datë 11 dhjetor 2023 nga ora 09:30.

Ndryshe sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale në këtë rast ishin akuzuar 15 persona për të cilët thuhet se kanë kryer vepra penale të ndryshme ashtu që kanë përfituar subvencione në mënyrë të kundërligjshme në Agjencinë për zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.

Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim

Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.

Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.

Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.

Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Arta Hyseni

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter