Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, këtë të hënë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ku të akuzuar janë Adriana Qela-Baraku, Jeton Dalladaku, Gazmend Hoti për veprën penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ në bashkëkryerje dhe Behar Ferizi për veprën penale ‘’deklarim i rremë nën betim’’.
Pas përfundimit të procedurës së të provuarit, është vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarve.
Të gjithë të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, duke thënë se çka kanë pasur për të deklaruar i kanë deklaruar në polici dhe prokurori.
Pas kësaj, është vazhduar me marrjen e të dhënave për gjendjen ekonomike dhe të kaluarën kriminale te të gjithë të akuzuarve me radhë.
Në fund është dhënë fjala përfundimtare nga të gjitha palët në procedurë.
Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj ndër të tjera ka thënë se, pas adminstrimit të provave materiale dhe personale është vërtetuar në tërsi gjendja faktike si në dispozitivët e aktakuzës, ku përmbushen të gjitha elemenetet e figurës së veprave penale për të cilat akuzohen. Gjithashu në fund i ka propozuar gjykatës që të njejtët të shpallen fajtor dhe të denohen sipas ligjit po ashtu propozon gjykatës që të zbaton nenin 59 par. 1 dhe 2 të KPK-së të vlerësojë rrethanat rënduese në momentin e shqiptimit të dënimit.
Më pas fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarës Adriana Qela-Baraku, av. Meshari Selimaj, ndër të tjera ka dhënë se, shpesh në praktikë kanë ndodhur keqkuptime se nëse një veprim i një zyrtari publik a konsiston në vepër penale ose shkelje administrative, duhet pasur të qart se pikërisht dashja ajo që e kualifikon një veprim të zyrtarit publik për vepër penale e dallon nga shkeljet e tjera të natyrës administrative, dhe në veprimet e të mbrojturës së tij nuk ka dashje. Në fund i ka propozuar gjykatës që të aplikoj parimin in dupro pro reo dhe ka kërkuar që të mbrojturën e tij ta liroj nga aktakuza.
Tutje fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Dalladaku, av. Visar Perlasku duke shtuar se, duke marr parasysh gjendjen e provave i ka propozuar gjykatës që të aplikoj parimin in dupro pro reo të shqyrohen të gjitha pretendimet e mbrojtësit me kujdes dhe profesionalizëm, e posaqërisht deklaratat e dëshmtarëve e pastaj të bie aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij, pasi që nuk janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohet.
Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Hoti, av. Nexhmedin Gashi në fjalën përfundimtare të tij ndër të tjera ka thënë se, duke u bazuar në provat personale dhe materiale, i ka propozuar trupit gjykues që pas analizimit dhe vlerësimit të çdo prove veç e veç të lirojë të mbrojturin e tij nga akuza, pasi që jo çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare nuk nënkupton konsumimin e kësaj vepre penale dhe në rastin konkret bie në domenin e përgjegjësisë disiplinore
Dhe në fund fjalën e tij përfundimtare e dha edhe av. Agron Kuqi mbrojtës i të akuzuarit Behar Ferizi, i cili ndër të tjera ka thënë se, nuk është vertetuar aktakuza që i vihet në barrë të mbrojturit të tij që i njejti nuk i ka përmbushur kriteret sipas konkursit dhe se prokuroria nuk ka prova esenciale dhe ka propozuar gjykatës që të aplikojë parimin in dupro pro reo.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 25.10.2023 në orën 08:45.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria themelore në Gjakovë të datës 08.12.2022, të akuzuarit Ardiana, Jeton dhe Gazmend, në cilësinë e antarëve të komisionit rekrutues në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve i K.R.M. ‘’ÇABRATI’’, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke shpërfillur udhëzimin administrativ (MASHT) me nr. 126/2016 lidhur me parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave, duke zgjedhur kandidatin i cili nuk i përmbush kriteret sipas konkursit,
Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.1 e lidhur me nenin 3 të KPRK-së.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i akuzuari Behar Ferizi me vetdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë që në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve i K.R.M. ‘’ÇABRATI’’ paraqet një deklaratë nën betim në kundërshtim me ligjin për ndërmarrje publike ku parashihet se kandidati duhet të ketë së paku 5 vite përvojë pune, ku i njëjti nuk i plotëson kriteret për përzgjedhje sipas konkursit për pranimin e kryeshefit ekzekutiv,
Me cka ka kryer veprën penale ‘’Deklarim i rremë nën betim’’ nga neni 383 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi