Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot ka vendosur që 15 kandidatë për gjyqtarë të gjykatave themelore të propozohen për dekretim nga ana e Presidentes Vjosa Osmani.
Në këtë listë bëjnë pjesë kandidatët: Artan Xhaqkaj, Albana Ceku, Fortesa Beqiraj-Maliqi, Valmir Zhjeqi, Durim Osmani, Pajtesa Fera, Mirvet Thaqi, Edona Zuzaki, Xhemajl Kurti, Drilon Hoxha, Feim Bytyqi, Hilmi Elshani, Blende Mjeku, Haxhi Xhemajli dhe Alba Makolli.
Këta kandidatë ishin përzgjedhur si më të suksesshmit nga konkursi që u zhvillua për 47 gjyqtarë të gjykatave themelore ku pesë nga këto pozita ishin të rezervuara për kandidatët e komunitetit serb.
Kujtojmë që në këtë konkurs kanë marrë pjesë vetëm 3 kandidatë serb por asnjëri nga ta nuk e ka kaluar testin kualifikues duke bërë që pesë pozitat e rezervuara për komunitetin serb mbeten të pa plotësuara.
Po ashtu, gjatë takimit të sotëm KGJK ka propozuar edhe riemërimin me mandat të përhershëm të 21 gjyqtarëve të Republikës së Kosovës, ndërsa u theksua se dy kandidatë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje gjatë mandatit të tyre fillestar.
Takimi vazhdoi me shqyrtimi i rekomandimeve të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ndër to përfshihen obligimi i gjykatave që të njoftojnë lidhur me shkaqet për dështimin e seancave gjyqësore si dhe të adresohet çështja e dërgimit të aktgjykimeve tek punëdhënësit për rastet kur ndaj të dënuarit është shqiptuar edhe dënim plotësues.
Më pas, anëtarët e KGJK-së kanë votuar për kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në dy degë të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Kësisoj, dega e Fushë Kosovës u vendos që në pesë vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga gjyqtarja Suzana Qerkini, kurse gjyqtar mbikëqyrës i degës së Graçanicës u zgjodh gjyqtari Sinisha Borisavljeviq.
Tutje, mbledhja e Këshillit ka vazhduar me caktimin e gjyqtarit Ragip Namani si anëtar të rregullt në Komisionin për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye dhe u mor vendim që të autorizohet Kryesuesit të KGjK-së për vlerësimin e performancës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor.
Gjithashtu, pjesë e agjendës së takimit të sotëm të Këshillit janë edhe themelimi i Komisionit për shqyrtimin e performancës të Kryetares së Gjykatës Themelore Prishtinë, shqyrtimi i ndryshimit të planit vjetor të punës së Gjykatës së Apelit për vitin 2023, shqyrtimi i njoftimit për pensionim të gjyqtarëve dhe shqyrtimi i kërkesave të gjyqtarëve porot Donjet Doblibara dhe Xhelal Bajrami.
Pikat e tjera të rendit të ditës janë edhe shpallja e shprehjes të interesit për transferim të përhershëm të bashkëpunëtorëve profesional si dhe shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Gjykatës Themelore Gjilan për transfer të përkohshëm të bashkëpunëtorit profesional.
Pa praninë e publikut, KGJK në agjendë ka shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit GJS-2023-022 të nxjerrë nga Autoriteti Kompetent si dhe shqyrtimin e raporteve për dy raste disiplinore./Drejtësia Sot