|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca ndaj të akuzuarit në rastin ‘Subvencionet 1’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Salih Kelmendi, i cili akuzohet për veprën penale ‘marrje ryshfeti’, në rastin e njohur si ‘Subvencionet 1’.

Në fillim të seancës, gjyqtari Kujtim Krasniqi konstatoi mungesën e kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, për shkak të mungesës së të akuzuarit Kelmendi, të cilën mungesë e arsyetoi mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, ku deklaroi se të mbrojturit të tij nuk i ka arritur ftesa e gjykatës me kohë dhe se i njëjti nuk gjendet në Kosovë për momentin. 

Procedura ndaj të akuzuarit Kelmendi ishte veçuar në seancën e 21 shkurtit 2023, ku trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, ndërsa në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me date 1 mars 2023, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës,

pika e parë i ngarkon Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Alban Bushati dhe Salih

Kelmendi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3

lidhur me par 2 lidhur neni 31 të KPRK.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të

akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih

Kelmendi–Inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin

zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të

drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€,

dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.

Në bazë të aktakuzës, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të

përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në

Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike, dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter