|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala përfundimtare ndaj të akuzuarve për Korrupsion



Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda është dhënë fjala përfundimtare në rastin e të Akuzuarve Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi të cilët akuzohen për Keqpërdorim të Pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi po akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar përkatësisht në Arkivin Komunal të Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i Detyrës Zyrtare”.

Prokurorja e shtetit Arbëresha Shala vazhdon me paraqitjen e provave dhe tregon se në cilat qëndron pranë tyre, e njejta thekson se të gjitha provat u janë dorëzuar Gjykatës dhe palëve mbrojtëse.

Avokat Asdren Hoxha, deklaron se nuk kanë dëgjuar elaborim individual të provave te cekura në aktakuzë përkatësishtë pranë të cilave ka mbetur prokuroria sot, andaj nuk dëgjuam relevancën apo elementin e të dëshmuarit të këtyre provave materiale. Rrjedhimisht, i kundërshojmë si të tilla në kuptim të mbrojtjes.

Avokat Artan Qerkini, thekson se prej të gjitha provave të propozuara për administrim vetëm 4 janë me relevancë për zonjën Nexhmie Krasniqi, ndërsa ne në fjalën përfundimtare do të elaborojmë se pse këto prova nuk i vërtetojnë pretendimet e prokurorisë të shprehur në dispozitivin e aktakuzës.

Tutje, seanca vazhdon me paraqitjen e fjalës përfundimtare.

Prokurorja e shtetit elaboron fjalën përfundimtare shkurtimisht: Prokurorja Shala edhe njëherë thekson se mbetet pranë aktakuzës së ngritur, tutje ajo vazhdon me elaborimin e provave rreth veprimeve inkriminuese të të pandehurve të cilët gjithnjë sipas aktakuzës kanë tejkaluar kompetencat e tyre në cilësi të personave zyrtar. E njejta i propozon gjykatës që të shqiptohet sanksion penal dhe të dënohen sipas ligjit.

Avokat Asdren Hoxha, në fjalën përfundimtare thekson se “Prokuroria nuk ka arritur të bind Gjykatën që i mbrojturi im e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Kjo fare lehtë mund të shihet dhe të krahasohet nga provat materiale të dorzuara nga mbrojtja në këtë seancë. Andaj, i mbrojturi im nuk e ka pasur për detyrë që një dokument që kerkohet nga pala t’a kontrolloj paraprakishtë, sepse vërtetësinë e tij nuk mund e as nuk duhet ta vlersojë i mbrojturi im. Konsideroj që nga administrimi i provave, u vërtetua që shumica janë jo-relevante dhe kërkojë nga Gjykata që i njejti të lirohet nga akuza.”

Avokat Artan Qerkini, në fjalën përfundimtare, me dispozitivin e aktit akuzues të përpiluar nga Prokuroria demantohet pretendimi i tyre që e mbrojtura ime ka kryer vepër penale. Te mbrojturës sime i është kërkuar që të gjejë një dokument të arkivuar dhe e njejta ka proceduar dhe ka treguar që nuk ka dokument të njejtë i cili është kërkuar, kjo rrethanë vërteton pafajsinë e të mbrojtures time. Rrjedhimisht, i propozoj Gjykatës që të mbrojturën time ta liroj nga akuza.

Shpallja e Aktgjykimit do të bëhet me datë: 14 dhejtor 2023 nga ora 13:15.  


Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, të ngritur më 3 maj 2017, Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, ku gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve, të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, ashtu që kishte pranuar dokumentin e falsifikuar “Marrëveshja e Arondimit”, e 24 janarit 1964, pa u përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.

Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Shasivari, si shef i depos, një kopje të kësaj marrëveshje ia ka dorëzuar palës, tani të ndjerit M.J., i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.

Ndërsa, Nexhmije Krasniqi, sipas aktakuzës, akuzohet se në pozitën e ndihmës-arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që më 9 janar 2015, në kërkesën e Zyrës Katastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë nr.44/63, të 24 janarit 1964, e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e Policisë, më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.

Sipas aktakuzës, Krasniqi më 29 shtator 2014, të njëjtin dokument, “Marrëveshjen e Arondimit”, nr. 44/63, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, M.J.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter