Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarit Sadik Tahiraj, ish – drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, në Drenas, i cili akuzohet për veprën penale “Keqperdorim i pozites apo autoriteti zyrtar”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurorës Shenaj Berisha, përfaqësuesës të palës së dëmtuar, të akuzuarit Sadik Tahiraj, si dhe mbrojtësit të tij avokat Blerim Çela.
Për shkak se ka munguar dëshmitari B.P, i cili ishte paraparë që të dëgjohet sot, gjyqtari Arrni ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Në kuptim të rrethanave të lartcekura, seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës
Monitoruar nga Gentrit Kuqani