|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Administrohet videoincizimi si provë në rastin ndaj mjekut ortoped i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Në seancën e sotme u administrua si provë videoincizimi gjatë kohës së paraqitjes së të dëmtuarit E.S tek komisioni vlerësues për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në QKUK-ë.

Pas shikimit të videoincizimit, mbrojtësi i të akuzuarit Sllmaniku, avokati Driton Muharremi deklaroi se sipas videoincizimit i tërë ky spektakël është bërë nën udhëheqjen e gazetares dhe me një aktrim të pretendentit se është i dëmtuar dhe se ky videoincizim është në kundërshtim me deklaratën e tij në këtë shqyrtim gjyqësor se nuk është abuzues i drogës, ndërsa në videoincizim edhe para doktor Luan Jaha e pranon faktin se është abuzues i drogës.

Ndër të tjera, mbrojtësi theksoi se poashtu ky videoincizim paraqet kundërthënien mes deklaratës në shqyrtimin e datës 12 tetor 2023 të të dëmtuarit E.S, ku thekson se mjeku ka pranuar 300 euro, ndërsa sipas videoincizimit mjeku në emër të ekspertizës kërkoi ti transferohen në llogari bankare vetëm 100 euro, të cilat i takojnë atij, poashtu se i dëmtuari nuk kishte probleme invalidore e ku është vërtetuar edhe me foton e prezantuar në gjykatë në seancën e kaluar, ku i dëmtuari pas daljes nga gjykata ngritet në këmbë pranë veturës së policisë.

Seanca e radhës u caktua për datën 30 maj 2024, nga ora 13:00, ku do vazhdohet me mbrojtjen dhe fjalët përfundimtare.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter