|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitari i parë në rastin e zyrtarëve të Obiliqit të akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Depertamentin për Krime të Rënda, me gjyqtar Naser Foniqi, në cilësi të kryetarit, Fatime Dermake dhe Ertan Sejfulla, në cilësi të anëtarëve, sot më datë 30 Prill 2024, është mbajtur seanca për të akuzuarit Nerimane Kelani Sherifi, Arben Berisha dhe Ramadan Hasani, të akuzuar për bashkëkryerje në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjoheshin dy dëshmitarë, një prej tyre ish-noteri N.A. Në pyetjet nga prokurorja e shtetit Bukurije Gjonbalaj, dëshmitari ka shprehur që të akuzuarin Ramadan Hasanin e ka parë vetëm si klient në kohën kur ai ka ofruar shërbime noterie si noter në Komunën e Prishtinës, por që ka qenë i certifikuar edhe për Komunën e Obliqit dhe aty është paraqitur për të lidh një kontratë për shitblerje të një paluajtshmërie në Zonën Kadastrale të Obiliqit. I akuzuari ka qenë në pozitën e shitësit potencial. Dëshmitari ka shprehur që kontrata në fund nuk është lidh.

Në atë kohë kur është synuar lidhja e kontratës, noterët kanë pas qasje në informatat për patundshmëri në kadastrin qendror dhe dëshmitari ka verifikuar edhe certifikatën me të dhënat për mënyrën e fitimit të pronësisë. Sipas tij në atë certifikatë nuk ka figuruar kjo informatë dhe aty vetëm ka shënuar që shitësi potencial Ramadan Hasani, e kishte fituar të drejtën për pronë sipas kontratës së lidhur më herët dhe kontrata mbi të cilën i akuzuari e ka fituar këtë pronësi gjoja është lidhur tek dëshmitari si noter, ku figurojnë edhe data e lidhjes së kontratës dhe numri i saj. Këto të dhëna nuk janë përputhur me numrat e regjistrave të dëshmitarit si noter.

Për këtë dëshmitari e kishte njoftuar të akuzuarin, dhe e kishte lajmëruar që kontrata e shitblerjes nuk mund të lidhet pa u sqaruar.

Në pyetjet e mëtejshme nga Prokuroria, dëshmitari ka deklaruar që ai në cilësi të noterit nuk ka nënshkruar kontratë në mes Ramadan Ferizit dhe Xh.R, dhe në ballafaqimin e dëshmitarit me nënshkrimin e vendosur në këtë akt noterial, u pa me sy të lirë nga të gjitha palët në procedurë si dhe trupi gjykues, dallueshmëria e nënshkrimeve (nënshkrimi në aktin notarial dhe nënshkrimi i dëshmitarit në dokumentin identifikues të tij). Lidhur me vulën e vendosur në këtë akt noterial / parakontratë, dëshmitari shprehi që për këtë kishte kërkuar në hetuesi që të hapet procedurë e vecantë që të konsatohet nëse ai akt notarial / parakontratë është vulosur apo është skanuar vula.

Në seancën e sotme kishte qenë e paraparë edhe marrja në pyetje e dëshmitarit V.G, megjithatë për shkak të mungesës së tij, seanca e sotme është ndërprerë dhe është planifikuar që të vazhdojë më datë 29 Maj, në ora 13:10

Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ”Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.

Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë – Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ”Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter