|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e shtatë të akuzuarve për Krim të organizuar me substanca narkotike

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.

Në seancën e sotme u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve në procedurë.

Prokurori special Burim Çerkini në fjalën përfundimtare të paraqitur deklaroi se mbetet pranë akuzës dhe provave të prezantuara, që përbëjnë masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe provave tjera. Nga këto prova është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, deklaroi prokurori Çerkini.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën përfundimtare të tyre kundërshtuan akuzën dhe provat e paraqitura, duke kërkuar nga trupi gjykues aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fethi Uygur, avokati Fitim Shporta deklaroi në fjalën përfundimtare se qysh nga procedura paraprake, ngritja e pistës hetimore dhe zhvillimi i hetimeve në tërësi ka qenë i gabuar, pasi organizatori theksohet se ka qenë Fethi Uygur.

‘Duhet theksuar se duke analizuar dispozivitin e aktakuzës dhe përshkrimin faktik të saj me asnjë provë materiale nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale e cila i vihet në barrë të mbrojturit tim Fethi Uygur’, deklaroi avokati Shporta.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 2 maj 2024, në ora 15:15.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter