Në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda ka dështuar të mbahet seanca e sotme ndaj zyrtarëve komunal të komunës së Deçanit, Ramë Melaj si Drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Halil Tolaj si Drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit dhe Jashar Hulaj si Shef i Sektorit për Inspekcion që të tre të akuzuar për korrupsion.
Në seancën e sotme nuk ishte prezent mbrojtësi i të akuzuarit Halil Tolaj, av. Mehmet Berisha, ku sot para seancës përmes telefonit ka njoftuar gjykatën ku ka biseduar me zyrtaren ligjore dhe ka thënë se e ka djalin e sëmur dhe ka qenë në Shkup dje dhe sot, ndërsa nuk ka ofruar asnjë dëshmi po ashtu as dy mbrojtësit e tij të tjerë av. Rafet Ferizi i bashkëautorizuar si dhe av. Florian Fetani i autorizuar si mbrojtësi i parë nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi apo arsyje për mosardhjen.
Andaj, gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova pas konsultimit me antarët e trupit gjykues ka marr aktvendim me të cilin ka shqiptuar dënim me gjobë për avokatët av. Mehmet Berisha, av. Rafet Ferizi dhe av. Florian Fetani për secilin veç e veç nga 500€ përshkak të prolongimit të seancës dhe mos paraqitjes në gjykatë.
Kështu që meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, gjykata mori aktvendim për shtyerje të seancës dhe të njëjtën e caktoi me 05 qershor 2024.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja me shumë prej 170.000€ për organizatën ‘’Shtëpia Alpike’’, lëshon vendim për lejmin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në ‘’Bjeshkët e Belegut’’, me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Izniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrimi të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
Në dispozitivin e dytë i pandehuri Ramë Melaj po ashtu akuzohet se me datë 06.08.2020, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja me shumë prej 40.000€ për organizatën ‘’OJQ Kosovo Montain Club’’, në atë mënyrë që, lëshon vendim për leje mjedisore komunale për lejimin e zbatimit të projektit ‘’Zhvillimi i shtegut të ngritjes sportive-Via Ferata Deçan’’ si dhe ‘’Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Grykën e Deçanit’’, nxjerr vendim për leje mjedisore komunale për ngastrat kadastrale me nr. 312/1 dhe 42/0 ZK. Isniq, me titullar P.SH OTHPB ‘’Kosovodervo Prishtinë OP Gjeravica’’, prona këto nën administrimin e AKP-së, me të cilën ia mundëson dhe lejon OJQ-së zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
I pandehuri Ramë Melaj po ashtu në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze akuzohet se me datë 29.12.2020 duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja me shumë prej 323.160€ për personin tjetër dhe atë B.A, në atë mënyrë që, lëshon pëlqim me nr. 04. Nr. 32848/2 për aplikim dhe ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartcekuri dhe për ndërtim në ngastrën kadastrale me nr. 209/0 ZK. Isniq, pronë e të njejtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
Si dhe, në dispozitivin e katërt i pandehuri Ramë Melaj akuzohet se se me datë 05.06.2020 duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe atë për subjektin ekonomik ‘’Lika Trade’’ SH.P.K, në shumën që tejkalon 5.000€, në atë mënyrë që, lëshon vendimin për ndërtim të objektit afaristo-banesor me etazhitet B+P+6 dhe B+P+7, duke qenë në dijeni për kushtet e përcaktuara për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të dt. 15.11.2011 e lidhur në mes të Komunës së Deçanit dhe investitorit ‘’Gogaj AG’’, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. Nr. 167/1 të dt. 28.01.2013, si dhe kushteve të lokacionit me nr. 04. Nr. 4902/11 të dt. 06.11.2012, për ngastrën kadastrale nr. 1073/1, PSH. e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik ‘’Gogaj AG’’, edhe përkundër kësaj i njejti lëshon vendimin për leje ndërtimore me nr. 04. Nr. 9669/2 të datës 05.06.2020, me përfitues subjektin ekonomik ‘’Lika Trade’’, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afarist-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë investive prej 24.134.17€,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Ndërsa sa i përket të akuzuarve Jashar dhe Halil, me datë 11.02.2019 e në vazhdimësi deri më sot, duke vepruar në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, në atë mënyrë që, i pandehuri Halil si drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit, K. Deçan, ndërsa i pandehuri Jashar si Shef i Sektorit për Inspekcion pranë kësaj drejtorie, duke vepruar në kundërshim me Ligjin për Ndërtim, Udhëzimit Administrativ si dhe Ligjit për Inspektorat, nuk ndermarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, mundësojnë ndërtimin e tre kateve (3K) shtesë dhe katit tërheqës (KT) në objektin afarist-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndertimore me numer 04.nr. 2491/2 e datës 11.02.2019, i lejohej ndertimi me etazhitet B+ +3K, perkunder që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të dt. 05.03.2021 dhe inspektimit të fundit në bashkëpunim me organet kompetente të dt. 11.06.2021, ku edhe janë vene shiritat për mbyllje të vend-punimit, të konstatuara si punime ndertimore të kundërligjshme, e që të njejtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim, duke mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligishme, duke përfunduar objektin afarist- banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së siperfaqes rreth 2500m2,
me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqperdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-se.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi